Dhjetë vite të administrimeve ndërkombëtare: nga Bosnja dhe Hercegovina në Irak
Tezat:
1. Administrimet ndërkombëtare të dekadës së fundit, me përjashtime të rralla, karakterizohen nga një qeverisje jo e mirë.
2. Mungesa e mandatit të qartë të administrimeve ndërkombëtare ka determinuar mungesën e strategjive dalëse (exit strategy ) të këtyre administrimeve
Hulumtimet në lidhje e tezën e parë:
Ndonëse qëllimi i misioneve të ndryshme të administrimit ndërkombëtar ishte ndërtimi i shoqërive demokratike, shumica e tyre nuk i kishin zbatuar gjithmonë parimet e qeverisjes së mirë.[1] Qeverisja e mirë inkoorporon në vete: legjitimitetin, llogaridhënien, transparencën, konsultimin dhe përfshirjen e opinionit publik vendor në vendim-marrje.[2] Shumicën e këtyre elementeve nuk i takojmë në misionet e administrimeve ndërkombëtare të dhjetëvjeçarit të fundit.[3] Konkretisht, në Kosovë pas themelimit të institucioneve vendore, kemi një situatë përplasjeje (kolizioni) në mes të dy legjitimiteteve që qeverisin Kosovën: legjitimitetin etatik (etatique legitimacy), të përfaqësuar nga PSSP-ja dhe legjitimitetin demokratik të përfaqësuar nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes.[4]
Mungesa e legjitimitetit e karakterizonte edhe Administratën Transnacionale të Kombeve të Bashkuara në Timorin Lindor (UNTAET);[5] ky mision u mundua ta kompensoj mungesën e legjitimitetit duke aplikuar sistemin e bashkëqeverisjes me vendorët (“Timorization“ of the mission).[6] Sidoqoftë, vështirë mund të thuhet se UNTAET-i kishte legjitimitet demokratik, as Vieira de Mello si administrator e as personeli i tij nuk ishin në mënyrë të drejtpërdrejt përgjegjës para qytetarëve të Timorit Lindor.[7] Misionet e Kombeve të Bashkuara mund të kenë legjitimitetin legal, që rrjedh nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat i mbështesin ato, por jo edhe legjitimitetin politik.[8] Kuptohet se, legjitimiteti legal dallon plotësisht prej legjitimitetit politik, i cili në rethana normale sigurohet nga zgjedhjet e lira dhe është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e shoqërive demokratike.[9]
Konsultimi, përkatësisht përfshirja e opinionit publik vendor në vendim-marrje është dukuri shumë e rrallë në misionet e administrimit ndërkombëtar.[10] Qytetarët vendas jo vetëm që nuk konsultoheshin gjatë vendim-marrjes,[11] por në të shumtën e rasteve administrimet ndërkombëtare u ngjanin administratave autoritare, jo-transparente dhe të papërgjegjshme që me popullatën vendore krijonin raporte subordinimi e jo partneriteti.[12] Duke filluar me UNTAES-in në Sllavoninë Lindore, për të vazhduar me UNMIK-un në Kosovë dhe UNTAET-in në Timorin Lindor, OKB-ja aplikoi në praktikë teorinë e “territorit të ndërkombëtarizuar”.[13] Madje në Kosovë, OKB-ja ka instaluar një model unik të administrimit, ku kemi sundim absolut të PSSP-së me legjitimitet etatik (etatique legitimacy) dhe me kompetenca të pakufizuara.[14] Në Afganistan, kompetencat e ndërkombëtarëve ishin më të vogla,[15] kurse në Irakun e pasluftës, për dallim nga format tjera të administrimit hasim administrimin ushtarak me autoritetin ekskluziv vendim-marrës, koalicionin ushtarak – deri në nxjerrjen e kushtetutës së re të Irakut dhe legjitimimin e qeverisë së re përmes zgjedhjeve.[16]
Hulumtimet në lidhje e tezën e dytë:
Misionet e administrimit ndërkombëtar të instaluara në vendet post-konfliktuoze nga ana e OKB-së, në të shumtën e rasteve nuk kishin një mandat të qartë.[17] Mungesa e mandatit të qartë ka bërë që këto misione edhe pas një kohe të gjatë të krijimit të mos kenë një strategji dalëse (exit strategy).[18] Bie fjala, mungesa e mandatit të qartë që e karakterizon UNMIK-un, ka ndikuar që ky mision i OKB-së i instaluar në Kosovë, edhe pas shumë vite veprimi të mos ketë një strategji dalëse.[19] Alexandros Yannis duke diskutuar për misionet e administrimit ndërkombëtar, me theks të veçantë për UNMIK-un, thotë se prioritet i këtij misioni do të duhej të ishte përcaktimi i cakut, apo siç shprehet ai: ”si të qeveriset në Kosovë” duhet të zëvendësohet me “cili është caku i fundit i Kosovës”.[20]
Mungesa e strategjisë dalëse, si pasojë e mungesës së mandatit të qartë, është evidente edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.[21] Për strategjinë dalëse të Irakut as që mund të flitet,[22] zyrtarët e koalicionit bilateral deklarojnë se, të kërkosh strategji dalëse nga Iraku është njejtë si të thuash: “ lëre Lindjen e Mesme të vazhdoj të jetë parajsë për terroristët”.[23]
Ndoshta Administrata Transnacionale e Kombeve të Bashkuara në Timorin Lindor (UNTAET), është ndër të rrallat që kishte mandat të qartë politik.[24] Ky mandat konsistonte në përgatitjen e popullit të Timorit Lindor për pavarësi.[25] Pasi që kishte mandatin e qartë politik, UNTAET-i përpunoi strategjinë dalëse (exit strategy) dhe taktikat për përfundimin e misionit të vet.[26] Timori Lindor mund të shërbej si model i aplikimit të politikave të caktuara në misionet e ndryshme të administrimit ndërkombëtar,[27] qëllimi kryesor i tyre duhet të jetë garantimi i transicionit të sukseshëm në demokraci dhe/ose pavarësi.[28]
Notes:
[1] Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar), fq. 49
[2] John O’Sullivan, “How to Gain Legitimacy in Iraq”, National Review, 3 maj 2004, fq. 3
[3] Ibid. fq. 4
[4] Blerim Reka, UNMIK as an International Governance in post-war Kosova: NATO’s Intervention, UN Administration and Kosovar Aspirations, LogosA, 2003, Shkup, fq. 146
[5] Naomi Winberger, “The Challenges in East Timor”, Journal of International Affairs, 15 janar 2001, fq. 6
[6] Paulo Gorjao, “The Legacy and Lessons of the United Nations Transnational Administration in East Timor”, Contemporary Southeast Asia, 14 janar 2002, fq. 5
[7] Naomi Winberger, “The Challenges in East Timor”, Journal of International Affairs, 15 janar 2001, fq. 9
[8] Richard Caplan, “The Politics of International Administrations”, Global Governance, 3 tetor 2004, fq. 7
[9] Ibid. fq. 9
[10] Rob Jackson, ”International Engagement in War-Torn Countries”, Global Governance, 2 maj 2005, fq. 4
[11] David Harland, “Legitimacy and Effectiveness in International Administration”, Global Governance, 3 janar 2005, fq. 8
[12] Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar), fq. 51
[13] Ibid. fq. 25
[14] Ibid. fq. 74
[15] Anthony Lake, “Between War and Peace”, Harvard International Review, 25 maj 2004, fq. 12
[16] Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar), fq. 4
[17] Richard Caplan, “The Politics of International Administrations”, Global Governance, 3 tetor 2004, fq. 8
[18] Rob Jackson, ”International Engagement in War-Torn Countries”, Global Governance, 2 maj 2005, fq. 5
[19] Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar), fq. 52
[20] Richard Caplan, “The Politics of International Administrations”, Global Governance, 3 tetor 2004, fq. 9
[21] David Harland, “Peace in Bosnia”, New Zealand International Review, 22 maj 2004, fq. 8
[22] Arnold Beichman, “Exit Strategy Chorus”, The Washington Times, 4 shkurt 2005, fq. 3
[23] James Hamill, “Exit Strategy Delusions”, Parameters, 15 maj 2005, fq. 7
[24] Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar), fq. 52
[25] Donald K. Emmerson, “Moralpolitik: The Timor Test”, The National Interest, 5 shkurt 2002, fq. 13
[26] Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar), fq. 52
[27] Rob Jackson, ”International Engagement in War-Torn Countries”, Global Governance, 2 maj 2005, fq. 4
[28] Paulo Gorjao, “The Legacy and Lessons of the United Nations Transnational Administration in East Timor”, Contemporary Southeast Asia, 14 janar 2002, fq. 6
Bibliografia
Blerim Reka, Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar, (skripta e autorizuar).
Blerim Reka, UNMIK as an International Governance in post-war Kosova: NATO’s Intervention, UN Administration and Kosovar Aspirations, LogosA, 2003, Shkup.
Burime nga Libraria On-line: Questia Media America, Inc. http://www.questia.com/
John O’Sullivan, “How to Gain Legitimacy in Iraq”, National Review, 3 maj 2004.
Naomi Winberger, “The Challenges in East Timor”, Journal of International Affairs, 15 janar 2001.
Paulo Gorjao, “The Legacy and Lessons of the United Nations Transnational Administration in East Timor”, Contemporary Southeast Asia, 14 janar 2002.
Richard Caplan, “The Politics of International Administrations”, Global Governance, 3 tetor 2004.
Rob Jackson, ”International Engagement in War-Torn Countries”, Global Governance, 2 maj 2005.
David Harland, “Legitimacy and Effectiveness in International Administration”, Global Governance, 3 janar 2005.
Anthony Lake, “Between War and Peace”, Harvard International Review, 25 maj 2004.
Arnold Beichman, “Exit Strategy Chorus”, The Washington Times, 4 shkurt 2005.
Donald K. Emmerson, “Moralpolitik: The Timor Test”, The National Interest, 5 shkurt 2002.