Wednesday, January 24, 2007

Politika dhe Politikanët: rasti i Kosovës

Politika, sipas Theodore Parker, është shkenca e urgjencës. Për Groucho Marx, ajo është arti i gjetjes së problemeve, diagnostifikimit të tyre, dhe aplikimit të zgjidhjeve të gabuara për problemet në fjalë. Në anën tjetër, Napoleon Bonaparta kishte thënë: në politikë, absurditeti nuk është pengesë.


Politika, stili kosovar

Politika, sipas modelit kosovar, mund të përshkruhet si, art i arteve dhe shkencë e shkencave. Ajo mashtron dhe ngatërron. Në punë të lartëson; në jetë të pasuron. Ironikisht, politika është i vetmi profesion ku mungesa e diturisë është më e mirë se vetë dituria. Politika tek ne është punë profitabile, ku truri dhe arsyeja e shëndoshë janë më së paku të nevojshëm.

Politika kosovare është e rastit dhe nuk ka strategji veprimi. Është përçarëse dhe ka prirje për të bërë hile. Nuk është unike as në momentet më kritike për ardhmërinë e kombit. Shpenzimet e saj janë enorme dhe nuk mund të justifikohen. Konceptet “e vërtetë“ dhe “gënjeshtër” janë të paqarta, të papërcaktuara dhe jorrallë ndërrohen me njëra-tjetrën. Politika tek ne paraqet një formë të shëmtuar të bixhozit ku nuk vlejnë rregullat. Shpeshherë, politika e përzier me gjuhën e urrejtjes gjeneron kriza të thella. Politika kosovare i simplifikon çështjet, i trivializon ato dhe fokusohet në personalitete, duke bërë njëkohësisht edhe hyjnizimin e tyre.


Politikanët

Politikanët tanë, me përjashtime të rralla, janë varietet i pafundëm, grup i paqëndrueshëm i diversiteteve dhe koleksion i kopjeve. Disa prej tyre janë individë amoral, që të padrejtën e proklamojnë si të drejtë. Shumë nga ta nuk kanë sens për humor; kur bosët politikanë janë të padisponuar, ashtu duhet të duken edhe pjesëtarët e eskortës së tyre. Ata mund të ndëshkojnë për padëgjueshmëri, por assesi nuk bën të kritikohen për këtë veprim.

Një numër i madh i politikanëve kosovarë merren me thashethëna dhe shpifje. Garën tradicionale të ideve rreth platformës së qeverisjes, ka kohë që e anashkalojnë. Tani, ata konkurrojnë dhe garojnë me premtime, shpresa apo parashikim të së ardhmes. Politikanët bëjnë joshjen e votuesve me projekte progresive, që në të vërtetë nuk janë asgjë tjetër veçse retorikë e zbrazët dhe shpresa iluzore. Të gjithë politikanët pajtohen për një gjë, e ajo është se nuk pajtohen për asgjë. E proklamojnë fuqishëm respektimin e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve; në anën tjetër nuk i pranojnë vendimet e gjykatës më të lartë të vendit, nëse këto vendime nuk u përshtaten .

Fjalimet e shumicës së politikanëve tanë i karakterizon ambiguiteti dhe mungesa e logjikës. Fjalët e tyre janë, thënë me eufemizëm, metafora transparente që nuk i përkasin realitetit ekonomik dhe politik të vendit tonë. Për fushatën e paskrupullt që zhvillojnë kundër rivalëve politikë, lakmi do t’ua kishte edhe shefi i propagandës naciste Jozef Gebbels.

Politikanët tanë kurrë nuk kanë dëgjuar për fjalën kompromis. Paaftësia e tyre për të negociuar është tmerrësisht e madhe. Të gjithë duan t’i realizojnë qëllimet e tyre dhe ekskluzivisht qëllimet e tyre. Interesi publik është fjalë që ata e kuptojnë, por shumë e urrejnë; interesi personal është fjala që ata e preferojnë.

Mundësitë reale për të racionalizuar iracionalitetin e politikës kosovare, nëse ato ekzistojnë, janë shumë të vogla. Politika jonë është e dezorientuar dhe politikanët tanë të “jashtëzakonshëm” janë pafundësisht magjepsës dhe misterioz

Është koha e fundit që qytetarët e vendit tonë të mbledhin guximin për të ripërcaktuar racionalitetin dhe qëllimet e politikës që ndjekin politikanët tanë. Ky nuk është atdheu që e ëndërronim para disa viteve; qytetatët e rëndomtë dhe patriotët e vërtetë të këtij vendi me të drejtë pyesin: Quo vadis Kosovë?

No comments:

Post a Comment